“E ndoqa nga pas dhe e qëllova tre herë” – Rrëfimi tronditës i Artan Tafanit për vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vijuar dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i përfshirë në dosjen e grupit kriminal të Laert Haxhiut.
Gjatë seancës gjyqësore, Tafani rrëfeu në mënyrë të detajuar momentin e ekzekutimit të Çajup Selimit, një ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Tepelenës.
Sipas dëshmisë së tij, vrasja ka ndodhur pranë pallatit ku banonte viktima.
“Pasi arrita te pallati ku banonte Çajupi, qëndrova pranë hyrjes. Dëgjova një makinë që më dukej si ajo që përdorte ai – një Benz. Ishim ballë për ballë. Unë mbaja maskë COVID-i dhe një kapele. Ai më pa me dyshim,” dëshmoi Tafani.
Ai tregoi se e kishte ndjekur Selimin nga pas në shkallët e pallatit. “U fut në hyrje dhe nisi të ngjitej, te kati i parë, pastaj të dytin. Unë e ndoqa nga pas. Ishte tullac dhe e njihja mirë, madje edhe çfarë kishte veshur atë ditë – një bluzë të kuqe. E qëllova nga pas, tre herë. Një herë në shpatull dhe dy herë të tjera – nuk jam i sigurt ku e kapën plumbat,” tha ai.
Pasi kreu vrasjen, Tafani u largua me vrap. “Më pas u largova në drejtim të Burgut të Bënçës. Rrugës rashë në ca ferra, jashtë qytetit. Armën e kisha ende me vete – një Beretta e vogël, me silenciator. Po përpiqesha të gjeja rrugicën që më nxirrte në lumin Vjosë, aty ku sipas planit do më priste Ligori,” përfundoi dëshminë Tafani.