“E ndihmova të pastronte gjakun”/ E ëma e vrasësit të Ilaria Sulës pranon përfshirjen në krim! Tregon arsyen pse nuk e pëlqente
Detaje tronditëse dalin në dritë për ngjarjen makabre që tronditi Italinë, ku 22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula u masakrua me thikë nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson, 23 vjeç. Në një rrëfim të fundit para hetuesve, nëna e autorit, Nors Manlapaz, ka pranuar se ka ndihmuar të birin pas krimit.
Fillimisht ajo kishte pretenduar se nuk kishte dëgjuar asgjë dhe se ishte në gjumë në momentin e ngjarjes që ndodhi në banesën në Via Homs, por më pas ka rrëfyer: “Dëgjova disa zhurma dhe hyra në dhomën e Markut… e ndihmova të pastronte gjakun në shtëpi.”
Nëna e autorit është implikuar edhe nga vetë Mark Samson gjatë arrestimit të tij, kur deklaroi: “Ishte me mua në shtëpi dhe më ndihmoi të laja gjithçka.” Më pas ai ndryshoi versionin, duke thënë se gjithçka e kishte bërë vetë, por përfshirja e nënës u konfirmua nga gjurmët e gjakut të gjetura në pjesë të ndryshme të banesës dhe lëvizjet e saj të zbuluara nga qelizat telefonike.
Hetuesit nuk përjashtojnë që ajo të ketë ndihmuar edhe në fshehjen e trupit të vajzës, duke e mbështjellë fillimisht me një qese plastike e më pas duke e futur në një valixhe, e hedhur më pas nga një shkëmb rreth 40 kilometra larg Romës.
Gjatë marrjes në pyetje që zgjati mbi 4 orë, Nors Manlapaz shprehu se nuk e pëlqente Ilariën për shkak të origjinës dhe se lidhja e saj me të birin nuk përputhej me traditat e saj filipinase.
Aktualisht, babai i autorit, Rik Samson, nuk është përfshirë në hetime pasi nuk ndodhej në banesë në momentin e krimit. Megjithatë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur me saktësi të gjitha rrethanat e vrasjes dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në transportimin dhe fshehjen e trupit.
Dyshimet përfshijnë edhe faktin që Samson tentoi të merrte kompjuterin e Ilarias nga banesa ku ajo jetonte me shoqet, duke shtuar enigmën mbi motivet dhe veprimet e tij pas krimit.