“E ndihmova djalin të pastronte gjakun” – Nëna e autorit pranon bashkëpunimin në vrasjen e Ilaria Sulës
Zbardhen detaje të reja tronditëse nga vrasja e 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, në Itali. Nëna e autorit të krimit, Mark Antony Samson, ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se ka ndihmuar të birin pas vrasjes makabre, duke luajtur një rol aktiv në fshehjen e krimit.
Gjatë një seance pyetjesh që zgjati mbi tre orë në komisariat, ajo ka deklaruar: “E ndihmova djalin të pastronte gjakun.” Në bazë të këtij rrëfimi dhe provave të mbledhura nga hetuesit, ndaj saj është ngritur zyrtarisht akuza për bashkëpunim në fshehjen e trupit të viktimës.
Sipas autoriteteve, në momentin e krimit, gruaja ndodhej në banesën e familjes në Via Homs, ku ndodhi sulmi fatal. 23-vjeçari Samson, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjes, ka rrëfyer se ka qëlluar me thikë Ilariën të paktën tri herë në qafë, pas një konflikti të nxitur nga një mesazh xhelozie në telefonin e tij. Plagët ishin fatale dhe i shkaktuan vdekjen e menjëhershme të vajzës.
Menjëherë pas vrasjes, sipas hetimeve, nëna e Samsonit ka ndihmuar në pastrimin e skenës së krimit. Hetuesit dyshojnë se ajo ka qenë e përfshirë edhe në mbështjelljen dhe futjen e trupit të pajetë në një valixhe, edhe pse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Pas kësaj, Samson ka transportuar valixhen në makinë dhe më pas e ka hedhur trupin në një greminë në zonën e Polit, rreth orës 14:00 të pasdites.
Hetuesit kishin pasur dyshime që në fillim për përfshirjen e nënës, për shkak të të dhënave të vendndodhjes së celularit të saj, që tregonte praninë në shtëpi në momentin e krimit, si dhe vështirësinë që një person i vetëm të përballonte gjithë procesin e fshehjes së trupit.
Ndërkohë, babai i autorit nuk ka qenë në banesë në momentin e krimit, por edhe ai mbetet nën vëzhgimin e hetuesve për të qartësuar nëse ka pasur ndonjë rol në këtë ngjarje tronditëse.