E mbijetuara nga tragjedia në Koçan rrëfen tmerrin: Të gjithë vraponin, rashë në tokë! Nuk po gjejmë motrën në asnjë spital

Një nga të mbijetuarat e tragjedisë së ndodhur në një diskotekë në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën mbi 50 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, ka rrëfyer momentet e tmerrit.

Marija Taseva, 20 vjeçe, e cila mbeti e lënduar nga zjarri, tha për mediat vendase se paniku ishte i madh dhe se të gjithë përpiqeshin të shpëtonin veten.

“Të gjithë filluan të vrapojnë jashtë. Të gjithë përpiqeshin të shpëtonin veten. Motra ime ka humbur. Nuk mund ta gjejmë në asnjë spital. Tani presim këtu rezultatet për të parë nëse do ta gjejmë, nëse jo, përfundimisht në Shkup. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe të tjerët më shkelnin, thjesht me faqe isha në tokë”, tha ajo.

Ndërkohë, babai i saj është në kërkim të vajzës së dytë, 25-vjeçares, për të cilën ende nuk ka asnjë informacion. Familja e shqetësuar është në pritje të rezultateve të verifikimeve nga spitalet dhe autoritetet.

Tragjedia në Koçan ka tronditur të gjithë vendin, ndërsa vijojnë hetimet për shkaqet dhe përgjegjësit e kësaj katastrofe.