E konfirmon ISHP/ 17 fëmijë të prekur nga “Salmonela” në Gramsh, Prokuroria nis kontrollet te “Nelsa Shpk”

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se nga analizat e kryera ndaj 79 fëmijëve në kopshtin e Gramshit, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me ‘Salmonella Enteritidis’.

Rasti i helmimit të fëmijëve në Kopshtin Nr. 1 në Gramsh ka çuar në një hetim të zgjeruar penal dhe epidemiologjik, i cili po drejtohet nga Prokuroria e Elbasanit dhe përfshin disa institucione përkatëse.

Deri më tani janë konfirmuar 17 raste pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis mes fëmijëve dhe stafit të kopshtit, ndërkohë që analizat laboratorike po vijojnë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) dhe në Institutin e Sigurisë Ushqimore. Situata mbetet shqetësuese.

Në qendër të hetimeve ndodhet edhe kompania “Nelsa SHPK”, e cila furnizon me ushqim këtë kopsht dhe institucione të tjera në disa qytete të vendit.

Policia ka sekuestruar kartelat klinike të 6 fëmijëve të shtruar në spital, ndërsa Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Gramsh ka kërkuar vigjilencë të shtuar dhe bashkëpunim të ngushtë nga të gjitha qendrat shëndetësore për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të reja.