E kërkonte Kosova për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, arrestohet 31-vjeçari nga Kukësi

Denis Dina nga Kukësi është arrestuar pas një operacioni të finalizuar nga policia shqiptare në kuadër të fazës së operacionit “Operacionalja”.

Ky operacion është zhvilluar për kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, dhe në këtë rast, arrestimi ka ndodhur pasi ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës. Dina është kërkuar nga autoritetet kosovare për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, më konkretisht për shkelje të ligjit për lëndët narkotike (kokainë).

NJOFTIMI I POLICISE: 

Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.

Kapet në Kukës një 31-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Kosova, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, paraditen e sotme është finalizuar një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, konkretisht:

Operacionalja 41, në kuadër të të cilit, nga ana e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë e mundur lokalizimi në qytetin e Kukësit, kapja dhe ndalimi me qëllim ekstradimi i shtetasit D. D., 31 vjeç, banues në Kukës.

Ky shtetas rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Prishtinës/Kosovë, më datë 14.04.2025, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg” për veprën penale “Shkelje e ligjit për lëndët narkotike (kokainë)”, të parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës. Operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.