E kërkonte Belgjika për vrasje, shqiptari arrestohet në Angli pas 13 vitesh! Sherri për prostitutat degjeneroi në gjakderdhje

Një ngjarje e rëndë që tronditi Belgjikën në vitin 2012 është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, pasi një nga personat e përfshirë në vrasjen e Klaudjo Alushit është vënë më në fund në pranga.

Policia e Merseyside në Angli arrestoi shtetasin shqiptar Hajdar Allajbej, i njohur më parë si Hajdar Puci, i cili ishte në kërkim për një vrasje brutale të ndodhur në Saint-Gilles, Bruksel, më 4 prill 2012. Ai doli këtë të shtunë para Gjykatës së Ekstradimeve në Londër dhe pranoi me dëshirë të ekstradohet drejt Belgjikës.

Sipas dosjes gjyqësore belge dhe raportimeve të mediave lokale, konflikti që përfundoi me vrasje kishte nisur për shkak të përplasjes për prostitutat mes dy grupeve shqiptare. Hajdar Allajbej, së bashku me dy vëllezërit e tij, Kujtim dhe Arben Puci (që dyshohet se kanë ndryshuar mbiemrin në Allajbej), janë përplasur me viktimën Klaudjo Alushi, 25 vjeç, jashtë lokalit “King Bar” në rrugën Livourne.

Pas një zënke që degjeneroi në dhunë fizike, Klaudjo Alushi mbeti i vdekur në vend nga goditjet e shumta me thikë. Arben Puci u dorëzua më pas në polici duke marrë përgjegjësinë për ngjarjen, por hetimet zbuluan se ai nuk kishte qenë vetëm – vëllezërit Kujtim dhe Hajdar kishin marrë pjesë aktive dhe ishin larguar menjëherë pas krimit.

Në vitin 2014, Gjykata e Brukselit dënoi Arben Pucin me 18 vite burg, Kujtim Pucin në mungesë me 30 vite, ndërsa për Hajdar Allajbejn u dha dënim gjithashtu në mungesë, me një vendim që nuk është bërë publik.

Sherri fatal kishte për motiv konkurrencën për femrat që shfrytëzoheshin për prostitucion në zonën e bulevardit Louise, një zonë e njohur për këtë aktivitet në Bruksel. Dëshmitarët pohuan se viktima Alushi kishte lidhje me disa prej tyre, çka shkaktoi tensione të vazhdueshme mes dy grupeve.

Ekstradimi i tij pritet të realizohet brenda pak javësh.