“E kam thënë atë punën e birit të k*****, nuk ka pasur dhe s’ka! Unë jam këtu për…” Rama: Nuk më dridhet qerpiku, jam këtu për të bërë histori
Kryeministri Edi Rama deklaroi se misioni i tij në krye të qeverisë është të bëjë histori, duke theksuar se vetëm ai dhe Partia Socialiste do të çojnë flamurin shqiptar në Bashkimin Evropian. Gjatë një komunikimi publik, Rama ironizoi ish-kryeministrin Berisha duke e quajtur “buf i kënetës”, ndërsa partitë e vogla i krahasoi me “mangallët që vijnë për qoftë”.
“Kujtoni se është ndonjë kënaqësi restoranti apo plazhi? Kjo është sakrificë, është mohim i shumë gjërave që njerëzit e zakonshëm i kanë. Ky është mision. Unë jam këtu për historinë, e kam thënë me kohë dhe po e them sërish. Nuk më dridhet qerpiku, jam këtu për historinë. Prandaj i mbaj këto llumra, baltra dhe goditje nga të katër anët,” u shpreh kryeministri.
Rama rikujtoi një shprehje të përdorur prej tij vite më parë:
“E kam thënë kur isha i ri me të gjitha flokët e zeza, atë punën e birit të k… që nuk ka pasur dhe nuk ka, me prova. Me llafe dhe dyshime mund të ketë sa të duash,” tha Rama, duke nënvizuar bindjen e tij se përballjet me akuzat dhe dyshimet nuk e lëkundin nga qëllimet e tij.