“E hoqa hard diskun”/ Masakra e Dobraçit, përgjimet zbulojnë detaje të reja për atentatin ku humbën jetën katër persona
Hetimet për masakrën e ndodhur në Dobraç të Shkodrës, ku u ekzekutuan Arlind Bushati, Hamza Lici dhe dy persona të pafajshëm, kanë zbuluar detaje të reja tronditëse. Përgjimet dhe të dhënat hetimore kanë ngritur dyshime të forta ndaj Izmir Sakicajt dhe grupit të tij kriminal si autorë të ngjarjes.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni “Në shënjestër”, makina tip “Land Rover” me të cilën po udhëtonin viktimat i përkiste Arlind Bushatit. Hetuesit besojnë se autorët e atentatit e kanë përdorur këtë mjet për të shmangur dyshimet nga shënjestrat, duke i krijuar idenë se ishin mes njerëzve të besuar, derisa u qëlluan për vdekje pa mundësi shpëtimi.
Izmir Sakicaj: Gisht në atentat?
Dyshimet ndaj Sakicajt janë bazuar në një seri provash, përfshirë përgjimet ambientale. Në një telefonatë të regjistruar pas ngjarjes, Sakicaj dëgjohet duke thënë: “E hoqa hard diskun”, një detaj që ka ngritur dyshime se ai ka eliminuar provat që mund ta implikonin në krim.
Pas ngjarjes, policia kreu kontrolle në banesat e Sakicajt dhe anëtarëve të dyshuar të grupit të tij, përfshirë Arlind Kajoshin, Samuel Troshanin, Franko Lekën dhe Samet Hallunin. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk u gjet në shtëpi. Kontrollet u zgjeruan edhe në banesat e fisit të njohur Bajri, një grup kriminal që dikur kishte lidhje me Licët, por që sot janë armiq të betuar pas konflikteve të përgjakshme.
Grupet kriminale të Shkodrës, përfshirë Sakicajt, Licët dhe Bajrat, janë në luftë të hapur për territore dhe influencë. Konflikti mes Licëve dhe Bajrave është thelluar pas një vrasjeje që ndodhi vite më parë dhe që i ktheu aleatët e dikurshëm në armiq të përbetuar. Hetuesit dyshojnë se masakra në Dobraç është rezultat i këtij konflikti.
Për të siguruar prova të mëtejshme, policia ka kontrolluar edhe banesat e disa personave të tjerë, përfshirë Enver dhe Ilir Bajrin, Enis Bushatin, si dhe Mustafa Likën. Gjithashtu, janë marrë analizat e faktorëve plotësues të qitjes nga disa prej të dyshuarve, duke përfshirë pjesëtarë të fisit Bajri dhe individë të tjerë të lidhur me grupet kriminale.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, disa pyetje mbeten ende të hapura:
•A ishte objektivi kryesor vetëm njëri nga viktimat apo ishte një plan i menduar për eliminimin e të dyve?
•Cila është përfshirja konkrete e Sakicajt dhe grupit të tij në këtë masakër?
•Si ndikon konflikti mes grupeve kriminale në ngjarjet e ardhshme në Shkodër?