E goditën me shkopinj dhe thikë – Prokuroria e Korçës dërgon në gjyq dy shqiptarët që vranë bashkatdhetarin në Greqi

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy shqiptarë të akuzuar për vrasjen e një bashkatdhetari të tyre në Athinë të Greqisë, ngjarje e ndodhur më 7 dhjetor 2008 në rrugën “Efpalinu”.

Të pandehurit, G.L. dhe A.T., i njohur me disa alias, përfshirë J.C., A.Xh., M.D., M.C. dhe A.D., akuzohen për veprën penale “Vrasja me dashje” e kryer në bashkëpunim, në bazë të neneve 76 dhe 25 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të dhunshëm mes dy grupeve shqiptarësh për motive të dobta. Gjatë sherrit, viktima A.Xh. është goditur në pjesë të ndryshme të trupit me duar, grushte, shkopinj dhe thikë.

Referuar autopsisë, shkaku i vdekjes ka qenë dëmtimi i rëndë i pjesës së majtë të kraharorit dhe zemrës, i shkaktuar nga goditjet vdekjeprurëse.

Prokuroria thekson se në përfundim të hetimeve paraprake, të cilat janë zhvilluar edhe me metoda speciale pas rihapjes së procedimit penal nr. 387, datë 23.12.2008 (i pushuar më parë), ka rezultuar e provuar tej çdo dyshimi se dy të pandehurit kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohen.

Aktualisht, të dy të pandehurit ndodhen në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë në vijim.