E frikshme! Kabllot e teleferikut këputen, 30 të lënduar në vendpushimin e skive

Një incident i rëndë ka ndodhur në vendpushimin malor të skive në Astun, pranë kufirit mes Spanjës dhe Francës, ku këputja e kabllove të një teleferiku ka shkaktuar lëndime për 30 persona, ndër të cilët 9 raportohet se janë në gjendje kritike.

Sipas kanalit televiziv shtetëror TVE, rreth 80 persona kanë mbetur të bllokuar në teleferik, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë përpjekjet për t’i evakuuar. Ende nuk është përcaktuar shkaku i aksidentit, i cili ka tronditur vendin.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez reagoi duke thënë se ishte “i tronditur nga lajmi i incidentit” dhe ka shprehur solidaritetin e tij me të lënduarit dhe familjet e tyre.

Kryqi i Kuq spanjoll ka dërguar në vendngjarje një ambulancë të avancuar të mbështetjes për jetën dhe 11 automjete të tjera të specializuara për të ndihmuar të plagosurit dhe për të lehtësuar evakuimin e personave të bllokuar.

Ngjarja ka shkaktuar panik dhe shqetësim në të gjithë zonën, ndërsa hetimet për këtë aksident tragjik po vazhdojnë.