E ekzekutuan live në TikTok – Shoqja e ngushtë në qendër të dyshimeve për tradhti në vrasjen e Valeria Márquez

Vrasja tronditëse e influencueses meksikane Valeria Márquez, e cila u ekzekutua gjatë një transmetimi live në TikTok më 13 maj brenda sallonit të saj të bukurisë në Zapopan, Jalisco, po merr përmasa edhe më të errëta, teksa hetimet zbulojnë detaje të reja që ngrenë dyshime për tradhti nga një prej personave më të afërt të saj.

Sipas burimeve mediatike, përfshirë të përditshmen argjentinase La Derecha Diario, një video e re e analizuara nga autoritetet mund të konfirmojë përfshirjen e një shoqeje të ngushtë të Valerias në atentat. Kjo vajzë, e cila ndodhej me të në momentin e ngjarjes dhe shihej si një prej personave më të afërt të saj, po hetohet aktualisht si e dyshuar për bashkëpunim me autorët e sulmit.

Valeria Márquez, vetëm 23 vjeç, ishte një emër i njohur në rrjetet sociale me mijëra ndjekës. Ajo u qëllua për vdekje ndërsa po transmetonte live, në mes të sallonit të saj të bukurisë. Pamjet brutale të momentit të atentatit janë shpërndarë në mbarë botën, duke shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale.

Deri më tani, autoritetet lokale nuk kanë konfirmuar zyrtarisht përfshirjen e shoqes, por hetimet janë intensifikuar dhe pista e tradhtisë është bërë një nga drejtimet kryesore të hetimit.

Reagimi i publikut në rrjet ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër, me thirrje për drejtësi dhe transparencë, ndërsa shumë ndjekës të Valerias kanë shprehur tronditjen e thellë për mundësinë që vrasja të jetë ndihmuar nga dikush kaq i afërt me të.