“I kishin kërkuar 300 mijë euro për shenjat e gishtave”, Alibej zbërthehet te “Plumbi i Artë”: E dija që pas atentatit ndaj Arjan Ndojës, ishte Plarenti
Në procesin e hetimit të Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt, dëshmon Erion Alibej, bashkëpunëtori i drejtësisë, që ka zbardhur një sërë krimesh për dosjen “Plumbi i Artë”.
Dervishaj dhe Meçaj akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Një javë më parë, vetë Ndoja dha deklarimet e tij për Gjykatën e Posaçme, ku u distancua nga konflikte të mundshme që mund të kenë shërbyer si shkak për organizimin e atentatit të vitit 2019, pranë urës së Shkozetit.
Sipas Arjan Ndojës, goditja ka qenë për shkak të detyrës si magjistrat.
DEKLARATA E PLOTË E ALIBEJ:
Në vitin 2019 kam banuar në Elbasan. Plarent Dervishajn e njoh, Julian Meçajn jo. Plarentin e kam njohur pasi më ka mundësuar daja i bashkëshortes sime një takim, përmes një shoku të tij. Di që ka një fabrikë cigaresh në Librazhd. Më mundësoi ai një takim me Plarentin. Kemi drekuar atje. Nuk e dija kush ishte ai në atë periudhë, por më dukej si një “Çekiç” që kisha parë në televizor. Ky ka qenë takimi i parë dhe i vetëm.
Në atë kohë, në vitin 2019, kam qenë person në kërkim për një çështje të vitit 2018. Strehohesha në shtëpinë time në Elbasan. Kam pasur disa probleme personale. Në atë periudhë, Arben Laze kishte një Tuareg me ngjyrë të zezë. Kam hipur në sediljen e pasme dhe kemi shkuar te fabrika e cigareve. Më pritën Iliri dhe Arbeni. Nuk mbaj mend nëse ka qenë Plarenti aty apo nëse erdhi më vonë. Plarenti kishte një BMW blu të blinduar. Shofer ishte një djalë tjetër, ndërsa Plarenti ishte pasagjer.
Mond Çekiçin e kam dëgjuar vetëm në media. Ndoshta mund të ketë qenë ai që shoqërohej me Plarentin, por nuk jam i sigurt. Kam diskutuar me Plarentin për hallet që më kishin rënë në atë kohë. Doja të identifikoja njerëzit që më kishin bërë krime në familje. Shkova ta takoj me shpresën se mos më ndihmonte. Më pas kemi folur gjatë në aplikacione, por fizikisht vetëm një herë.
E thërrisnin “Lenti”, ose “Shoku”. Fillimisht kam komunikuar në EncroChat, pastaj në Sky. Nofka e tij në EncroChat ishte “Barcelona”, ndërsa në Sky, “Ghost”. Me Plarentin nuk më lidh asnjë gjë. Mbaj mend që pak më vonë Plarentit iu bë atentat dhe biseduam për këtë. Unë shqetësohesha për të, ashtu si për hallet e mia, dhe i përcillja çdo informacion që merrja.
Mbaj mend që më erdhi një mesazh se atentatin ia kishte bërë Lul Berisha. Ia përcolla këto informacione, por nuk mbaj mend kush ma dha. I kam nisur edhe një foto nga sistemi TIMS, të një personi me mbiemrin “Kabashi”, i cili kishte shtëpinë afër Nuredin Dumanit.
Kam pasur një polic që më jepte informacione. Nga marsi i vitit 2019, kur jam lidhur me këtë person, deri në shtator 2020, më ka dhënë informacione. E pajisa vetë me Sky.
Redian Rrajën e kam dëgjuar për herë të parë në televizor. Për të kemi biseduar me Plarentin pak pasi i kishin bërë atentat prokurorit, por nuk e di se ku ndodhej ai në atë moment. E dija që pas atentatit ndaj Ndojës, ishte Plarenti ai që kishte shqetësim. Kishim biseduar për disa emra, ai nuk kuptonte pse i kishin bërë atentat.
Pasi u zbardh ngjarja, e pyeta pse ndodhi kështu. I thashë se po flitej për prova: syzet, shenjat e gishtave. Më tha që ishte interesuar për t’i fshirë gjurmët e gishtave tek ekspertiza. Më tha se i kishin kërkuar 300 mijë euro.
Sa i përket prokurorit, mbaj mend që diskutonim pasi donin të më ekzekutonin me snajper. Diskutuam se kush di të ekzekutojë me snajper. Në atë bisedë, folëm që prokurori (Ndoja) shkonte në një lokal te Gjiri i Lalëzit dhe më tregoi për plane që të ekzekutohej me snajper aty.