Dy fëmijë janë nxjerrë nga rrënojat, 36 orë pas tërmetit të së hënës në Sirinë veriore. Mediat shkruajnë se dy fëmijët ishin bllokuar në mbetjet e shtëpisë së tyre. Pamjet e dy të vegjëlve duke shtrënguar njëri-tjetrin u bënë virale në rrjet, teksa vajza e vogël e quajtur Miriam përkedhelte të vëllain dhe i mbulonte fytyrën me krah në mënyrë që ta mbronte nga pluhuri.
“Më largoni nga këtu, unë do të bëj gjithçka për ju“, dëgjohet teksa u thotë vogëlushja ekipit të shpëtimit. Vëllai i saj quhet Ilaaf, emër islamik që sipas babait të tyre Mustafa Zuhir Al-Sayed përkthehet mbrojtje.
Mustafa thotë se ai me gruan dhe 3 fëmijët po flinin në momentin që tërmeti i fuqishëm goditi zonën. “Ndjemë tokën teksa dridhej, filluan të na binin gjërat mbi kokë”, tha ai.
Momenti i shpëtimit të dy fëmijëve I ngecur nën rrënoja, Al-Sayed tha se familja e tij recitoi Kuranin dhe u lut me zë të lartë që dikush t’i gjente.
“Njerëzit na dëgjuan dhe ne u shpëtuam, unë, gruaja ime dhe fëmijët. Faleminderit Zotit, të gjithë jemi gjallë dhe falënderojmë ata që na shpëtuan”, tha ai.
Pas shpëtimit të Miriam dhe Ilaaf banorë të zonës kanë brohoritur nga gëzimi, ndërsa fëmijët u dërguan në spital ku do të marrin kujdesin shëndetësor.
Shtëpia e Al-Sayed ndodhet në provincën e Idlibit, një zonë e kontrolluar nga rebelët në Sirinë veriore, ku sipas Mbrojtjes Civile Siriane kanë vdekur të paktën 1,220 njerëz.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti që preku Turqinë dhe Sirinë është tani më shumë se 8,000, një numër që sipas agjencive të ndihmës ka gjasa të rritet.