E BUJSHME/ Riktheu titullin kampion, Giovanni Colella largohet nga Partizani
Revolucioni në stolat e ekipeve të Superligës nuk ka të ndalur.
Fitimi i titullit kampion nuk shpëton as Giovanni Colellën, i cili ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Partizanit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, “Demat” kanë konfirmuar divorcin me teknikun italian, që ka vendosur të ndajë rrugët në mënyrë të parevokueshme me kampionët në fuqi të Superligës.
“Trajneri largohet nga Partizani pas një viti të suksesshëm ku arriti së bashku me skuadrën objektivin madhor, titullin kampion. Falenderojmë për kontributin misterin Colella, që largohet nga Shqipëria si trajneri kampionat. I bëjmë me dije se dera e Partizanit do të mbetet e hapur për bashkëpunime të tejra në të ardhmen” thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Italiani mori drejtimin e “Demave” gjatë gushtit të verës së kaluar dhe udhëhoqi skuadrën drejt fitimit të titullit kampion, i 17-ti në historinë e klubit kryeqytetas. 42 ndeshje regjistroi Colella si trajneri i Partizanit, me një bilanc pozitiv prej 24 fitoresh, 8 barazimesh dhe 10 humbje.
Colella bëhet zyrtari i radhës që largohet nga Partizani pas titullit kampion, pas drejtorit sportiv, Elton Marini. Partizani bëhet klubi i 9-të nga 10 skuadrat e Superligës që kryen ndryshime në pankinë në këtë sezon, ku i vetmi i mbijetuar në stol është Orges Shehi nën drejtimin e Tiranës.