Dyshohet se i ka ndërtuar me paratë e prostitucionit në Belgjikë, konfiskohet hoteli dhe restoranti i Arjan Kamamit

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka vendosur konfiskimin e pasurive të Arjan Kamamit i dënuar në Belgjikë për ushtrim prostitucioni.

Masa u mor me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, në kuadër të procedimit pasuror nr. 11 të vitit 2020, pasi hetimet provuan se pasuritë e vëna nga Kamami nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të tij.

Objektet e konfiskuara përfshijnë një ndërtesë 2-katëshe, bar-restorant dhe hotel të ndodhur në zonën kadastrale nr. 2559, Malasej të Cërrikut. Prokuroria dyshon se pasuritë e sekuestruara rrjedhin nga aktiviteti kriminal i Kamamit në Belgjikë.

Ky shtetas rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Bruksel me 5 vite burg dhe gjobë 84 mijë euro për ushtrim prostitucioni, së bashku me disa shtetas të tjerë shqiptarë.