Dyshohet se është vrarë nga një bashkatdhetar, ky është 42-vjeçari Nikolin Nika! Shqiptari nga Shkodra u gjet i vdekur në trotuar në Itali, detaje të reja
Personi që shihni në foto është 42-vjeçari Nikolin Nika, shqiptari i cili është gjetur i vdekur me 3 plagë në qafë në një trotuar përpara një lokali në Viale Delle Vittoria në Bettola të Italisë, pasditen e 24 nëntorit.
Sipas mediave italiane, Nika është me origjin nga Shkodra dhe jetonte prej vitesh në Bettola. Ai ka lënë pas gruan dhe dy fëmijët, njëri nëntë vjeç dhe tjetri i lindur më pak se një vit më parë.
Disa orë pas krimit të rëndë, policia italiane mësohet se vendosi në pranga një 62-vjeçar shqiptar, si autor të dyshuar të vrasjes së bashkatdhetarit të tij. I dyshuari është arrestuar në banesën e tij, pranë lokalit ku ka ndodhur vrasja e Nikës.
Edhe 62-vjeçari raportohet se ka pësuar disa lëndime në fytyrë dhe krahë, për shkak të të cilave ai me sa duket ka shkuar në shtëpinë e tij me qëllim të trajtimit mjekësor, ku më pas u arrestua.
Pas marrjes në pyetje, ai u dërgua në burg dhe akuzohet për vrasje me dashje, ndërsa mësohet se ka mohuar akuzat.
Policia ka kryer kontrolle edhe në ambientet e lokalit, për të gjetur armën e krimit që dyshohet të jetë kaçavidë ose thikë, por ende nuk është gjetur asgjë.