Të hënën, më 24 shkurt, në orën 08:30, Safet Bajri, i njohur si “i forti i Shkodrës”, së bashku me Behar Bajrin dhe Asmer Bilalin, do të dalin për masë sigurie në Gjykatën e Posaçme. Ata akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit në gusht të vitit 2018, si dhe për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas të dhënave të SPAK, ekzekutimi i Licit dyshohet të jetë kryer si një akt hakmarrjeje ndaj Ibrahim Licit, pas vrasjes së mikut të ngushtë të Bajrajve, Boran Bërcana. Ky i fundit u ekzekutua brutalisht në makinën e tij, ku humbi jetën edhe partnerja e tij, Silva Ndoci.
Vrasja e Fatbardh Licit dhe spirala e hakmarrjeve
Më 10 gusht 2018, një person i maskuar hyri në një nga kafenetë më të njohura të Shkodrës dhe ekzekutoi me breshëri plumbash Fatbardh Licin, 53 vjeç, ndërsa ai po pinte kafen e mëngjesit. Kjo ngjarje tronditi opinionin publik, sidomos për lidhjet e saj të mundshme me një tjetër krim të rëndë që kishte ndodhur më herët, më 15 korrik të atij viti.
Në këtë ngjarje, u ekzekutua çifti Boran Bërcana dhe Silva Ndoci, ndërsa një detaj që tronditi vendin ishte mbijetesa e mrekullueshme e djalit të tyre 3-vjeçar, i cili kishte arritur të shpëtonte pa asnjë lëndim.
Pas vrasjes së Licit, zinxhiri i ngjarjeve të dhunshme vazhdoi. Më 23 gusht, zhdukën pa lënë gjurmë Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, të cilët dyshohet se u eliminuan nga i njëjti grup. Vetëm pak ditë më pas, më 1 shtator, u vra Arjan Ferracaku, ndërsa dyshimet lidheshin me një bisedë të fundit që kishte pasur me Astrit Bilalin, babanë e Asmer Bilalit.
Përplasjet mes grupeve Bajri dhe Lici shkaktuan një valë terrori në Shkodër, e cila kulmoi më 30 mars 2019 me vrasjen e dyfishtë të Astrit dhe Brahim Bilalit, të dy të afërm të Asmer Bilalit. Si i dyshuar kryesor për këtë ngjarje u përmend Ibrahim Lici.
Goditja më e madhe ndaj grupit kriminal Bajri ndodhi kur nga Belgjika mbërritën informacione shqetësuese për aktivitetet e tyre të paligjshme në disa vende europiane. Kjo çoi në arrestimin e 12 personave, ndërsa më vonë, në vitin 2023, SPAK arrestoi edhe një prokuror, një drejtues policie, një shef policie dhe një biznesmen të rëndësishëm të lidhur me grupin.
Pavarësisht goditjeve të vazhdueshme nga drejtësia, grupi Bajri vazhdoi aktivitetet e tij, me Behar Bajrin që mori frenat pas lirimit të Safet Bajrit. Por masakra e 30 tetorit, ku u vranë katër persona, tronditi vendin dhe riktheu në vëmendje aktivitetet e dhunshme të këtij grupi.
SPAK ka ngritur tashmë akuza të rënda ndaj anëtarëve të grupit, përfshirë edhe të rinjtë e njohur si “çunat” e Bajrajve. Ndërkohë, seanca e së hënës pritet të jetë vendimtare për fatin e Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Asmer Bilalit, të cilët akuzohen për disa nga krimet më të rënda që kanë terrorizuar Shkodrën në vitet e fundit.