Dyshohej si spiun i Serbisë, arrestohet efektiv i Policisë së Kosovës! Zbulohen para të padeklaruara dhe…
Një efektiv policie në Kosovë është arrestuar këtë të enjte nën dyshimet për spiunazh në favor të strukturave të sigurisë së Serbisë. Lajmi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili konfirmoi se autoritetet po “çmontojnë me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë”.
I arrestuari është Bojan Jevtiq, zyrtar policor nga komuna e Kamenicës, i cili ka mbajtur postin e shefit të operativës në policinë kufitare në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.
Ministri Sveçla tha se ky është rasti i gjashtë i arrestimit për spiunazh, ndërsa bëri të ditur se njëri nga të arrestuarit e mëparshëm tashmë ka pranuar fajësinë, duke theksuar seriozitetin e hetimeve dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekje destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës.
Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, Bojan Jevtiq është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria pritet të kërkojë caktimin e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në një fshat të Kamenicës, janë sekuestruar:
-Dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës,
-Disa telefona të mençur,
-USB,
-Një armë e shkurtër dhe municion,
-10.000 euro cash,
-2 milionë dinarë serbë (rreth 17.000 euro),
-600 franga zvicerane,
-Si dhe prova të tjera që do të ekzaminohen gjatë hetimeve.
Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e tij nga detyra menjëherë pas arrestimit.