“Dyshime për pengjet e mbetura në Gaza/ Izraeli frikësohet se disa mund të jenë të vdekur
Izraeli pritet të marrë listën e pengjeve të mbetur nga Hamasi, dyshime për të vdekurit
Një zyrtar izraelit ka njoftuar se lista që detajon statusin e pengjeve të mbetur në Gaza, përfshirë nëse ata janë ende gjallë apo të vdekur, pritet të arrijë deri në fund të ditës së sotme. Zyrtarët izraelitë besojnë se shumica e 26 pengjeve që mbeten në Gaza janë të gjallë, por për disa nga ta ka dyshime, pasi mungon informacion i plotë.
Izraeli është i shqetësuar për mundësinë që disa prej pengjeve që pritet të lirohen gjatë fazës së parë të marrëveshjes të kenë vdekur tashmë. Ky informacion pritet të sqarohet gjatë ditëve në vijim.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, gjatë fazës së parë do të lirohen 33 pengje izraelite dhe rreth 2000 të burgosur palestinezë në një periudhë prej 6 javësh. Pothuajse dy javë pas fillimit të armëpushimit, Hamasi ka liruar 7 pengje, ndërsa Izraeli ka liruar rreth 280 të burgosur palestinezë. Shkëmbimi i radhës pritet të bëhet gjatë fundjavës së ardhshme.