Dyshime për blerje votash, shoqërohet xhaxhai i kandidates së PD, Siva Hasaj! Bardhi: Intimidim!
Më datë 27 prill 2025, Drejtoria Vendore e Policisë Fier njoftoi se pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet policore shoqëruan shtetasin Agim Hasaj, 59 vjeç, banues në Peshtan, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme në lidhje me procesin zgjedhor.
Sipas Policisë, kontrolli ndaj tij dhe automjetit me të cilin udhëtonte, në orën 19:20, çoi në gjetjen e një blloku me shënime që lidhen me zgjedhjet. Pas marrjes së deklarimeve, shtetasi Agim Hasaj u la i lirë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për hetime të mëtejshme.
Në një reagim publik, Policia e Fierit ka sqaruar gjithashtu se pretendimi i drejtuesit politik të Partisë Demokratike për qarkun Fier, Gazment Bardhi, se ndaj familjarëve të kandidates demokrate Silva Hasaj është ushtruar presion, është i pavërtetë. Policia thekson se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjin dhe paanshmëri politike.
“Policia e Shtetit garanton qytetarët dhe subjektet politike se është tërësisht e baraslarguar nga politika dhe e fokusuar në garantimin e rendit, sigurisë dhe paprekshmërisë së votës”, thuhet në deklaratën zyrtare.