Dyshime mbi ligjshmërinë e kampeve në Gjadër, Gjykata e Kasacionit në Itali i drejtohet Gjykatës Evropiane të Drejtësisë

Gjykata e Kasacionit në Itali ka ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë e projektit të përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampeve të emigrantëve në territorin shqiptar, konkretisht në Gjadër dhe Shëngjin.

Gjykata më e lartë italiane i është drejtuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg, për të verifikuar përputhshmërinë e kësaj marrëveshjeje me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Gjyqtarët italianë kërkojnë që gjykata evropiane të shprehet nëse operacioni “Shqipëria”, përmes të cilit emigrantët e kapur në Detin Mesdhe dërgohen në kampet e ngritura në Gjadër, është në përputhje me direktivat evropiane dhe garanton të drejtat themelore të azilkërkuesve.

Dy pyetje thelbësore janë ngritur nga Kasacioni:

-A janë marrëveshjet mes Romës dhe Tiranës në përputhje me ligjin e Unionit Evropian?

-A respektohet parimi themelor i të drejtës për të qëndruar në territorin e shtetit anëtar të BE-së, kur emigrantët mbahen në një vend që nuk është pjesë e BE-së, si Shqipëria?

Dyshimet lidhen me faktin që Shqipëria nuk është pjesë e territorit të Bashkimit Evropian, ndërsa sipas gjykatave italiane, vendosja e emigrantëve në qendra pritjeje jashtë kufijve të Italisë mund të cenojë të drejtat e tyre themelore, sidomos nëse ata janë në proces të shqyrtimit të kërkesës për azil.

Marrëveshja fillestare mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni parashikonte që emigrantët e shpëtuar nga autoritetet italiane në Detin Mesdhe të transportoheshin në Shqipëri për shqyrtimin e statusit të tyre. Por pas reagimeve të forta ligjore në Itali, qeveria italiane modifikoi marrëveshjen, duke përcaktuar që në Gjadër dhe Shëngjin do të dërgohen vetëm emigrantë të parregullt, që nuk kanë të drejtë azili dhe që janë në pritje të riatdhesimit.

Aktualisht, në kampin e Gjadrit ndodhen rreth 50 emigrantë, të cilët do të qëndrojnë atje për një periudhë të shkurtër kohe, deri në përfundimin e procedurave të kthimit në vendet e tyre të origjinës.