Turizmi në Shqipëri po njeh rritje të jashtëzakonshme, duke e shndërruar vendin në një nga destinacionet më të kërkuara në Europë. Gazeta britanike The Telegraph i ka kushtuar një artikull të posaçëm zhvillimit të hovshëm të këtij sektori, duke ngritur shqetësimin se Shqipëria mund të përballet me pasojat e mbiturizmit, një fenomen që ka prekur më parë vende si Spanja.
Në artikullin e saj, gazetarja Rebecca Astill përmend veçanërisht Ksamilin, një nga zonat më të vizituara në vend, të cilin e përshkruan si një destinacion që po tërheq një numër gjithnjë e më të madh turistësh. Ajo thekson se Shqipëria ka kaluar nga të qenit një vend i panjohur për shumicën e turistëve perëndimorë, në një prej destinacioneve më të kërkuara, për shkak të bukurive natyrore, çmimeve të përballueshme dhe kulturës së pasur.
Megjithatë, The Telegraph ngre pikëpyetje mbi rreziqet që vijnë me këtë bum turistik. Sipas artikullit, nëse nuk merren masa për menaxhimin e fluksit të turistëve dhe mbrojtjen e mjedisit, Shqipëria mund të përballet me të njëjtat sfida që kanë hasur vende të tjera mesdhetare, ku turizmi masiv ka sjellë mbingarkesë infrastrukturore dhe probleme mjedisore.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, interesi i britanikëve për Shqipërinë është në rritje. Fluturimet e shumta direkte nga Londra dhe qytete të tjera britanike, madje edhe gjatë dimrit, tregojnë se Shqipëria po bëhet një destinacion i preferuar jo vetëm për pushimet verore, por edhe për eksplorime gjatë gjithë vitit.
Autoritetet dhe operatorët turistikë shqiptarë tashmë po përballen me sfidën e menaxhimit të kësaj rritjeje, në mënyrë që Shqipëria të vijojë të tërheqë turistë pa rrezikuar bukuritë e saj natyrore dhe ekuilibrin e ekosistemit turistik.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.