Dy vite nga tragjedia hekurudhore në Tempi – 200 mijë qytetarë protestojnë në Athinë, përleshje dhe të plagosur

Në përvjetorin e dytë të tragjedisë hekurudhore në Tempi, ku humbën jetën 57 persona, qindra mijëra qytetarë grekë dolën sot në rrugë duke kërkuar drejtësi për viktimat dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Mitingje masive u zhvilluan në qytete të ndryshme të Greqisë, përfshirë Athinën, Selanikun, Patran dhe Iraklion, ndërsa grekë të shumtë në emigracion protestuan në SHBA, Australi, Gjermani dhe madje edhe në Islandë.

Protesta e madhe në Athinë dhe përleshjet me policinë

Në Athinë, mbi 200 mijë protestues u mblodhën para Parlamentit në Sheshin Sintagma, në atë që u konsiderua si një nga demonstratat më të mëdha të viteve të fundit. Shumë prej tyre ecën kilometra të tëra për të arritur në protestë, pasi metroja dhe transporti publik ishin të mbingarkuar nga qytetarët që donin t’i bashkoheshin mitingut.

Por protesta paqësore u përshkallëzua në përleshje mes një grupi anarkistësh dhe policisë. Anarkistët me kapuç hodhën bomba Molotov drejt forcave të sigurisë, të cilat u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Përleshjet u përhapën shpejt në rrugët përreth sheshit Sintagma, duke krijuar një atmosferë të tensionuar.

Të plagosur dhe ndërhyrje e forcave të sigurisë

Si pasojë e përplasjes mes protestuesve dhe policisë, pesë persona u plagosën dhe u transportuan me urgjencë në spitalet e Atikës.

Për shkak të situatës kaotike, rojet ceremoniale Evzone që qëndrojnë në hyrje të Parlamentit grek u urdhëruan të largoheshin për t’u strehuar brenda ndërtesës.


Protestuesit kërkojnë një gjyq transparent dhe të drejtë për të gjithë përgjegjësit e tragjedisë, përfshirë zyrtarë të qeverisë Mitsotakis, të cilët akuzohen për neglizhencë dhe dështim në menaxhimin e sistemit hekurudhor.