Dy vite nga protestat e dhunshme në Zveçan, u plagosën mbi 90 ushtarë të KFOR-it

Sot shënohen plot dy vite nga protestat e dhunshme në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, ku më shumë se 90 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, mbetën të plagosur gjatë përplasjeve me protestues serbë lokalë.

Ngjarjet e 29 majit 2023 pasuan përpjekjet e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – për të hyrë në ndërtesat komunale, pas zgjedhjeve të bojkotuar nga komuniteti serb. Thirrjet për bojkot ishin bërë nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetje të plotë nga Beogradi zyrtar.

Protestuesit, shumica prej të cilëve serbë lokalë, u përleshën dhunshëm me trupat e KFOR-it, duke përdorur mjete të forta dhe lëndë piroteknike. Si pasojë, mbi 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën, disa prej tyre rëndë. Këto akte dhune u dënuan ashpër nga institucionet e Kosovës, aleatët ndërkombëtarë dhe vetë NATO.

Në Kosovë, autoritetet kanë arrestuar disa persona nën dyshimin për pjesëmarrje në protesta të dhunshme dhe për sulm ndaj pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse. Megjithatë, në Serbi ende nuk dihet nëse është hapur ndonjë hetim i brendshëm për rolin e mundshëm të qytetarëve serbë në sulmet ndaj trupave të NATO-s.