Dy skocezë vriten me armë zjarri në një bar në Spanjë gjatë finales së Champions League
Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik mbrëmjen e së shtunës, teksa zhvillohej finalja e Ligës së Kampionëve. Dy shtetas skocezë janë vrarë me armë zjarri në një bar në qytetin bregdetar të Fuengirola-s, në jug të Spanjës, gjatë transmetimit të ndeshjes.
Sipas autoriteteve spanjolle, sulmi ndodhi në lokalin “Monaghans”, një bar i njohur në zonën turistike të Andaluzisë, i frekuentuar kryesisht nga turistë britanikë. Autori ka qëlluar disa herë në drejtim të lokalit, duke shkaktuar panik dhe rrëmujë mes klientëve që ishin mbledhur për të ndjekur finalen evropiane për klube.
Zyrtari i qeverisë qendrore në provincën e Malagës, Javier Salas, ka konfirmuar për BBC se viktimat janë dy shtetas të Skocisë, të cilët humbën jetën në vendin e ngjarjes. Autori i dyshuar është larguar menjëherë pas atentatit dhe është në kërkim nga autoritetet vendase.
Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta. Policia spanjolle ka nisur një hetim të thelluar për të zbuluar nëse atentati ishte i planifikuar dhe nëse viktimat ishin shënjestra specifike apo u përfshinë në një konflikt të çastit.
Bari “Monaghans”, ku ndodhi ngjarja, ndodhet pranë vijës bregdetare dhe është një prej pikave më të njohura të grumbullimit të turistëve britanikë, veçanërisht gjatë ngjarjeve sportive. Prania e turistëve dhe tifozëve ishte e madhe për shkak të finales së Champions-it, çka e bën ngjarjen edhe më tronditëse për komunitetin lokal dhe vizitorët.