Dy orë leje për faljen e namazit, kërkohet pushim gjatë orarit të punës për besimtarët myslimanë
Së fundmi në Kuvend është prezantuar një nismë që parashikon disa ndryshime në Kodin e Punës për të respektuar të drejtat fetare të punonjësve myslimanë
Kështu të gjithë punonjësit që i përkasin besimit mysliman mund të përfitojnë të drejtën të përfitojnë dy orë pushim gjatë mesditës ditën e premte, për të kryer faljen e namazit të xhumasë.
Sipas këtij propozimi, punëmarrësit që i përkasin besimit mysliman do të kenë të drejtën të shkëputen nga puna për të kryer faljet ditore dhe veçanërisht, të kenë dy orë pushim çdo të premte për faljen e namazit të xhumasë.
Në komisionet parlamentare, u diskutua edhe detyrimi që u vendoset punëdhënësve për të ofruar hapësira për falje në rast se kanë më shumë se 50 punonjës të besimit mysliman.
Megjithatë, disa deputetë shprehën shqetësime për mundësinë e abuzimeve. Shpresa Marnoj ngriti pyetjen se si do të kontrollohet zbatimi i kësaj mase, në mënyrë që të shmangen përdorimet e pajustifikuara të lejes.
“A është parashikuar se si mund të kontrollohet kjo gjë? Sepse kur vjen fjala pastaj një shkëputje nga puna, apo një orë pushimi mund të abuzojnë, ose të kërkohet që të bëhet edhe nga punonjës të tjerë, që mbase nuk e duan për atë arsye, por që të abuzohet dhe të vazhdojnë të shkëputen nga ora e punës”,-replikoi Shpresa Marnoj.
“Për sa i përket, se si do të verifikohet. Unë nuk besoj se dikush deklaron që një i punësuar do të shkoj në xhami, të falë namaz 2 orë, do gënjej. Sepse flasim për njerëz që besojnë në Zot”,-u përgjigj Gështenja.
Propozimi nuk kaloi pa kundërshtime. Deputetja socialiste Milva Ikonomi kujtoi se Kushtetuta shqiptare e përcakton qartë Shqipërinë si shtet laik, duke theksuar se shteti nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e besimit fetar.
“Po të ishit referuar, kemi një nen të caktuar që Republika e Shqipërisë është një republikë laike. Dhe shteti është neutral, shteti na lë për besimin si të duam vetë. Nuk ndërhyn shteti atje”, tha deputetja socialiste, Milva Ikonomi.