Dy incidente zgjedhore në Kukës, procedohet 19-vjeçari për fotografimin e votës, 18-vjeçari shpallet në kërkim për kundërshtim të policisë

Dy incidente zgjedhore janë regjistruar në qarkun Kukës. Një 19-vjeçar nga fshati Shoshaj, S. B., është proceduar penalisht pasi akuzohet se fotografoi fletën e tij të votimit dhe e publikoi në rrjetet sociale, duke shkelur fshehtësinë e votës.

Ndërkohë, një 18-vjeçar nga Kukësi, O. Sh., është shpallur në kërkim pasi tentoi të hyjë me forcë në një qendër votimi dhe kundërshtoi punonjësit e policisë që e penguan të hynte.

Njoftimi i policisë:

DVP Kukës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 19 vjeç, banues në fshatin Shoshaj, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, pasi ka publikuar në rrjete sociale, fotografi të fletës së tij të votimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin O. Sh., 18 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi gjatë natës, ka tentuar të hyjë me forcë në VNV nr. 11 dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë që nuk e kanë lejuar të hyjë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.