Dy dolën në Kosovë, i treti ktheu makinat me qira! Si tentuan të fshehin gjurmët vrasësit e Renis Dobrës

Policia e Shtetit, ka mundur të konfirmojë, me pamje filmike dhe me prova në makinat e sekuestruara por edhe në vendin e ngjarjes, se në rrëmbimin e Denis Dobrës, mbrëmjen e 8 korrikut, kanë marrë pjesë 4 persona. Konkretisht dy të arrestuarit Fatjon Bushgjoka, Petrti Çakrri, si dhe 2 vëllezërit e Fatjonit, Kristi e Aleksandër Bushgjoka, të cilët janë shpallur në kërkim.

Për sa i përket dy personave në kërkim, policia ka zbuluar se Aleksandër Bushgjoka, ka mundur të dal në Kosovë, duke përdorur kufirin e Morinës. Aty ai ka kaluar i rregullt një ditë pas rrëmbimit dhe vrasjes së Renis Dobrës, pasi në atë ditë ai nuk ka qënë i identifikuar si autor. Edhe për Kristi Bushgjokën policia ka dyshime të forta se ka kaluar në Kosovë. Ndërkohë Fatjon Bushgjoka, i arrestuar, ka pasur edhe rolin për të dorëzuar makinat me qira. Policia shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me homologët e tyre në Kosovë për kapjen e dy vëllezërve Bushgjoka.

Në Kosovë dhe më pas në Tropojë pak ditë pas ngjarjes ka kaluar edhe Petrit Çakrri i cili u arrestua nga Forcat Operacionale.

Si pistë kryesore policia vijon të ketë konfliktet e drogës në Gjermani mes viktimës dhe vëllezërve Bushgjoka. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që vëllezërit Bushgjoka dhe Petrit Çakrri të kenë marrë porosi nga persona të tretë pikërisht për konfliktet për trafikimin e lëndëve narkotike.

Renis Dobra u rrëmbye dhe u mbyt me litar mbrëmjen e 8 korrikut, ndërsa autorët tentuan t’i fshihnin trupin teksa e futën në automjet dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit. Trupi i 23-vjeçarit mbeti në bregun e liqenit, ndërsa disa ditë pas ngjarjes, policia zbuloi se kemi të bëjmë me një akt kriminal.