Durrësi ende nën ujë, evakuohen disa familje/ Si paraqitet situata

Në lidhje me situatën në Durrës nga reshjet e shiut një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sërish pas situatës. Përmes një njoftimi zyrtar thuhet se ka prani të ujit në shumë banesa e ambiente publike ndërsa shumë familje janë evakuar dhe strehur te Kavalishenca. Ndërkohë 40 hektarë tokë ndodhet nën ujë.

Njoftimi i plotë

Gjatë gjithë natës dhe sot, vazhdon puna nga forcat në terren për largimin e ujit nga zonat e prekura nga reshjet intensive të shiut, në një pjesë të bashkisë së Durrësit. Problematika më të theksuara kanë rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit.

Ka prani të ujit në një numër të konsiderueshëm banesash dhe ambientet publike.

Eshtë bërë evakuimi i disa familjeve, të cilat janë akomoduar te Kavalishenca.

Sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë llogaritet në rreth 40 Ha.

Ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen, por pa rrezik për daljen nga shtrati.

Hidrovorët në Hamallaj dhe Porto Romano vijojnë punën me kapacitet të plotë

Në terren janë të angazhuara forca nga MZSH, Autoriteti Portual, Bordi i Kullimit, ndërmarrjet e punëve publike të bashkisë.

Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 kamionë të kalueshmërisë së lartë nga Forcat e Armatosura.

Gjatë natës kapacitetet nga FA u përforcuan edhe me 2 pompa të vogla nga batalioni i mbështetjes Poshnjë, të cilat janë duke punuar për largimin e ujit te IEPV Durrës.

Grupet e punës janë në terren për identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e saktë të dëmeve.

Lajm në përditësim…