Durrës/ 12-vjeçarja humbi jetën nga hemorragjia cerebrale, pritet ekspertiza mjeko-ligjore
Një vajzë 12-vjeçare nga Sukthi ka ndërruar jetë tragjikisht në Spitalin Rajonal të Durrësit pas një hemorragjie cerebrale. Ngjarja ka ndodhur të premten, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet dhe pritet rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar rrethanat e vdekjes.
Sipas burimeve, e mitura, e identifikuar si Endi Bardhi, ka ndjerë shqetësime shëndetësore ndërsa ndodhej në shkollë. Ajo u transportua me urgjencë në spital nga autoambulanca, rreth orës 09:30, pasi kishte shfaqur konvulsione.
Gjendja e saj u përkeqësua në orët në vijim. Pas kryerjes së një skaneri, mjekët konstatuan se vajza po kalonte një hemorragji cerebrale. Përpjekjet për ta shpëtuar kanë qenë të pamjaftueshme, dhe e mitura ndërroi jetë rreth orës 18:30 të së premtes.
Trupi i 12-vjeçares pritet të përcillet për në banesën e fundit sot, rreth orës 15:00, në fshatin Sukth. Ndërkohë, policia e Durrësit është duke hetuar rastin, ndërsa rezultatet e autopsisë do të hedhin dritë mbi shkakun e saktë të vdekjes.