Durrës/ 12-vjeçarja humb jetën në spital, dyshohet nga hemorragjia cerebrale! Nisin hetimet (DETAJET)

Një vajzë 12-vjeçare ka humbur jetën në spitalin e Durrësit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme ndërkohë që mësohet se shkak ka qenë hemoragjia cerebrale.

Vajza nga Sukthi është dërguar me kriza epileptike në urgjencën e pediatrisë, ku fillimisht ka marrë mjekimin dhe më pas është qetësuar.

Pak më vonë, situata është përkeqësuar dhe është dërguar në reanimacionin e të rriturve, por fatkeqësisht, aty ka humbur jetën.

Është kërkuar që të bëhet rezonancë koke, por për shkak të konvulsioneve të rishfaqura ka qenë e pamundur. Ka filluar trajtimi nga mjeku neuropediatër për të dominuar konvulsionet dhe temperaturën deri në 38.5 gradë.

Pasi është stabilizuar rreth orës 16:00, është bërë i mundur transferimi për të bërë skaner. Pavarësisht artefakteve të shumta nga lëvizja evidentohet hemorragjia cerebrale dhe pacientja merret nga reanimatorët, të cilët e intubuan për shkak të rënies së vlerave të oksigjenit.

Mjekët e spitalit, Durrës shprehen se fatkeqësisht ky është një rast mjaft i rrallë që ndodh tek fëmijët, ndërkohë që shtojnë se shkak për këtë emboli mund të jetë ndonjë aneurizëm ose keqformim i lindur.