Dumani zbulon planin për vrasjen e Elton Kiles: Më nxorën në pritë…
Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar sot ballafaqimi mes të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, dhe të pandehurve të tjerë të dosjes “Plumbi i Artë”. Gjatë seancës, Dumani ka dhënë detaje për planin e vrasjes së Elton Kiles, i njohur si “Oti”, në Elbasan.
Sipas dëshmisë së tij, vrasja ishte porositur nga Suel Çela për 200 mijë euro, por Kile nuk ndodhej në Elbasan në momentin e atentatit. Dumani pretendon se Suel Çela e kishte nxjerrë në pritë, ndërsa Henrik Hoxha, një tjetër i dyshuar, po e ndiqte me një automjet të marrë me qira në Fier. Ai shtoi se komunikimet mes Henrik Hoxhës dhe Suel Çelës janë bërë përmes aplikacionit “Matrix” dhe një tjetër programi të koduar.
“Në momentin e atentatit kam folur vetëm atëherë me Suel Çelën. Do dalin të gjitha në ‘Matrix’”, është shprehur Dumani.
Gjatë seancës, ai ka dhënë detaje edhe për një tjetër plan vrasjeje, atë të Erjon Alibejt. Dumani ka pohuar se porosia ishte dhënë nga Kel Kamami, i cili i kishte ofruar 2 milionë euro për ekzekutimin e Alibejt. “Më tha: do të jap edhe Talon. I thashë dua 1.5 milionë euro, por më sill Talon përpara”, ka deklaruar i penduari.
Ndërkohë, i pandehuri Fatos Gosa ka mohuar akuzat e Dumanit për përfshirjen e tij në vrasjen e Andi Zylyfit. Ai ka kundërshtuar pretendimin se kishte marrë 15 mijë euro për këtë krim, duke theksuar se kishte marrëdhënie miqësore me familjen e viktimës.
Seancat për dosjen “Plumbi i Artë” vijojnë, ndërsa SPAK pritet të zbardhë më tej rrjetin e përfshirë në këto krime të rënda.