Dumani nga Durrësi: Ka ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar, duhet bashkëpunim me SPAK për drejtësi të paanshme

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjatë fjalës së tij në Konferencën e 8-të Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Dumani deklaroi se beteja ndaj këtyre fenomeneve mbetet një sfidë e madhe për sistemin e drejtësisë.

“Ka ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar në vend. Ndërtimi i një sistemi drejtësie të paanshëm kërkon bashkëpunimin e ngushtë të të gjitha institucioneve me SPAK,” – u shpreh Dumani.

Ai nënvizoi se vetëm përmes një angazhimi të përbashkët dhe ndërveprimi të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, mund të garantohet një sistem drejtësie efektiv dhe besueshmëri më e madhe tek qytetarët.

“Kënaqësi të gjendem këtu. Larmia e temave është tërheqëse, por qenia ime sot këtu është në vazhdën e takimeve të organizuara edhe në universitete të tjera për të vazhduar komunikimin tonë ndërinstitucional. Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci. Reforma në drejtësi u realizua me ndryshimet thelbësore kushtetuese. SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. SPAK është një ndër produktet e reformës në drejtësi dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo të objekteve të caktuara. Jemi të vetëdijshëm që ka shumë punë ende për të çrrënjosur krimin e organizuar. Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm nuk mund të jenë të njëanshme pa ndihmën e shumë institucioneve në bashkëpunim”, tha Dumani.