Dukagjini në izolim, banorët kalojnë mbi gurë: Me të rrëshqit këmba bie në greminë
Prej afro një jave banorët e fshatrave Pult dhe Shosh në Dukagjin janë të bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve në kantierin e rrugës së re.
Ata janë të detyruar të kalojnë në këmbë mbi masivin e gurëve, ku një gabim i vogël mund tu kushtojë jetën!
Punimet janë ndërprerë dhe rruga vijon të jetë e bllokuar prej 12 tetorit kur humbi jetën 59-vjeçari Zef Perndreu që po punonte me eskavator për hapjen e rrugës.
Banorët kërkojnë hapjen e rrugës sa më shpejt pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër për tu lidhur me zonën urbane.
“Nuk ka asnjë rrugë tjetër që e lidh Dukagjin me Shkodrën”
Ndërkohë kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci tha se ka nisur puna për zgjerimin dhe ndërtimin e rrugës nga Prekali në drejtim të fshatit Lotaj
“Rifillon puna për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit. Pas ndërprerjes disa ditore për shkak të fatkeqësisë së ndodhur, një grup ekspertësh kanë analizuar gjendjen e formacionit shkëmbor. Pas analizave u vendos që të ndërhyhet me shpërthime të kontrolluara në mënyrë që të hidhet poshtë pjesa e paqëndrueshme e shpatit malor që përbënte rrezik”, shkruan Beci.