“Duhet të kishe përfunduar si Ilaria Sula!” – Skandal në Itali, drejtuesi i klubit kërcënon dhe ofendon rëndë gjyqtaren pas humbjes

Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin e të rinjve në Itali, ku një drejtues i klubit Sporting Terni ka kërcënuar dhe fyer rëndë një gjyqtare femër pas një ndeshjeje të kategorisë nën 17 vjeç. Episodi i turpshëm ndodhi gjatë një ndeshjeje kundër Sangemini Sport, që përfundoi me rezultatin 4-0.

Sipas mediave italiane dhe vendimit të gjyqtarit sportiv, gjatë pushimit mes pjesëve, drejtuesi i ekipit humbës ka hyrë në dhomën e zhveshjes së gjyqtares, duke kontestuar me zë të lartë vendimet e saj ndërsa regjistronte gjithçka me telefon. Por, sapo ndaloi regjistrimin, ai shpërtheu në një seri kërcënimesh dhe fyerjesh makabre: “Duhej të kishe vdekur që e vogël” dhe “Duhej të përfundoje si Ilaria”, një referencë e tmerrshme ndaj rastit të Ilaria Sula, vajzës shqiptare 22-vjeçare që u vra nga ish-i dashuri i saj.

Në dokumentin zyrtar thuhet gjithashtu se drejtuesi deklaroi: “Në këtë pikë, duhet nxjerrë thika”, ndërsa ngacmimet e tij vazhduan edhe pas përjashtimit nga fusha, duke ofenduar gjyqtaren nga jashtë stadiumit dhe simuluar lehjen e një qeni.

Po ashtu, gjyqtarja dëgjoi edhe ofendime me përmbajtje seksiste dhe kërcënime nga dhoma e zhveshjes së ekipit të Sporting Terni, ku flitej për rezultatin e thellë 0-3 në pjesën e parë.

Si pasojë e kësaj sjelljeje të patolerueshme, drejtuesi është përjashtuar nga çdo aktivitet sportiv deri më 31 dhjetor 2028, një dënim i ashpër, por i justifikuar nga rrethanat. Klubit Sporting Terni i është vendosur edhe një gjobë prej 500 eurosh, për dështimin në kontrollin e sjelljes së përfaqësuesit të tij dhe krijimin e një atmosfere të dhunshme gjatë ndeshjes.