‘Duhet të isha më i matur”, Bledjon Nallbati rrëfen sherrin me shoferin e kamionit: Ftoj SPAK-un të marrë pamjet e plota filmike, nuk i përkas “rracës” së njerëzve si …..
Kandidati për deputet, Bledjon Nallbati ka treguar versionin e tij për ngjarjen ku u përfshi së bashku me vëllain e tij, Alti Nallbati.
Në një prononcim për mediat, ai ka pranuar se pas kësaj situate ka prapavijë politike. Nallbati ka sqaruar rrethanat e ngjarjes, ku tha se ka tentuar disa herë që të shmangë përplasjen, por emocionet dhe sjellja e drejtuesit të kamionit bënë të vetën.
“Ditën e djeshme, rreth orës 21:00, ndodhi një incident që përfshiu mua, vëllain tim dhe një mjet të tonazhit të rëndë. Pranoj me përgjegjësi të plotë se duhej të tregoja më shumë maturi përballë këtij provokimi. Megjithatë, jam njeri përpara se të jem politikan. Dënoj çdo formë dhune, qoftë ajo verbale apo fizike, pavarësisht se u përfshimë në një ngjarje që nuk e kërkuam. Është publikuar një video e pjesshme, jo e plotë. Nuk është e vërtetë që unë apo vëllai im i kemi prerë rrugën kamionit. Po udhëtonim nga Kapshtica drejt qytetit. Në rrethrrotullim ishte hapur një gropë që autoritetet, përkundër propagandës së tyre, nuk e kanë riparuar. Mjeti im uli shpejtësinë për shkak të kësaj gropë, ndërsa kamioni që vinte pas, me shpejtësi, mund të shkaktonte një aksident të rëndë. Në këto kushte, ndaluam. Doli fillimisht vëllai im, që ishte shoferi i mjetit, dhe më pas dola edhe unë.
Tentova disa herë ta shmangja konfliktin, edhe pse ishim të tronditur nga përplasja e mundshme. Shoferi i kamionit pati një reagim të papërshtatshëm, duke sharë mua dhe vëllain tim. Emocionet ndonjëherë marrin përparësi ndaj arsyes por ne mbetemi njerëz. Nuk i përkas “rracës” së njerëzve si Niko Peleshi dhe të tjerë që janë përfshirë në këtë çështje. Ata nuk ndjejnë asnjë cënim në dinjitetin e tyre apo të familjeve të tyre, mjaftohen me kolltukun dhe pushtetin për të vjedhur paratë e qytetarëve. Ftoj SPAK-un të marrë pamjet e plota filmike për të parë realisht çfarë ka ndodhur dhe për të nxjerrë konkluzione të qarta.
Ne telefonuam policinë për të sqaruar një ngjarje që mund të kishte pasoja të rënda dhe për të adresuar konfliktin e ndodhur. Policia, në vend që të sqaronte situatën, ndonëse vëllai im dhe shoferi i kamionit u shoqëruan dhe firmosën deklarata që e cilësonin incidentin si një keqkuptim momental pa asnjë problem mes tyre, reagoi ndryshe. Me urdhër personal të Niko Peleshit, i cili komunikoi me drejtuesit e policisë së qarkut të Korçës, situata mori një tjetër drejtim. Pse ndërhyri Peleshi? Cili ishte qëllimi i transferimit me dhunë të çështjes në komisariatin e Korçës dhe ngritja e një akuze të rreme në prezencën e vetë drejtorit të policisë?
Në pamjet filmike duket qartë se, edhe pse mjetet ndaluan, nuk ekziston vepër penale. Vepra penale ndodh kur largohesh nga vendi i ngjarjes, por në këtë rast nuk ka ndodhur asnjë largim përkundrazi, ne njoftuam policinë. Mjetet e tjera vazhduan të qarkullonin normalisht. Të tre akuzat e ngritura nuk qëndrojnë. Kam informacion të cilin ftoj SPAK-un ta verifikojë se dje drejtori i policisë është thirrur dhe më pas ka pezulluar shefin e komisariatit dhe shefin e krimeve” tha Nallbati.