Duele skajesh në javën e 32-të të Superligës shqiptare, Tirana sfidon Teutën, Partizani kundër Kukësit

Pesë javë nga fundi, dilemat në Superligën shqiptare janë të mëdha.

Kryesueset ne kampionat, Tirana sfidon Teutën. Bardheblutë shkojnë të qetë në duelin e “Niko Dovana”, kjo falë edhe 5 pikëve diferencë me Partizanin ndjekës. Një sfidë që do të luhet të shtunën e 6 majit duke nisur nga ora 18.

Dy ekipet janë kundërshtarë të njohur këtë sezon, pasi pak ditë më parë u takuan edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, sfidë e fituar nga Tirana. Këtë edicion janë luajtur 4 duele, ku gjithçka është në ekuilibër, 2 fitore për secilën skuadër. Ndërkaq më herët, në orën 15 luhet edhe në Rrogozhinë e Elbasan.

Egnatia pret Bylisin në një duel skajesh në renditje, ndërsa Kastrioti përballet me Vllazninë në krizë të plotë prej javësh tashmë. Krutanët janë një “mace e zezë” për shkodranët këtë sezon, duke fituar dy nga tre përballjet e deritanishme. Kryesfidë e kësaj jave mund të konsiderohet ajo mes Partizanit dhe Kukësit.

Pozicioni në renditje e shndërron këtë 90 minutësh në duel objektivash, kryeqytetasit në garën për titull dhe verilindorët për t’iu larguar rënies nga kategoria. Me interes edhe dueli mes Laçit dhe Erzenit, me kurbinasit që tentojnë Europën ndërsa shijakasit për të marrë pikët e qëndrimit në elitë edhe për sezonin e ardhshëm.