“Dua t’i kërkoj falje Ilarias” – Vrasësi i 22-vjeçares shqiptare i shkruan letër prindërve: Kreva një krim mizor, isha i çmendur nga…
Mark Samson, autori i vrasjes së 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, ka dërguar një letër ndjese nga burgu për prindërit e viktimës, Flamur dhe Gëzime Sula. Në letrën emocionale, ai pranon krimin mizor që ka kryer dhe kërkon falje për dhimbjen e shkaktuar, duke theksuar se është gati të përballet me pasojat.
“Po shkruaj nga qelia ime, ku do të qëndroj për disa vite. Çdo ditë mendoj për krimin mizor që kam bërë dhe nuk di çfarë të them, por mbi të gjitha nuk e di çfarë më ka ndodhur. Dua t’i kërkoj falje Ilarias, nuk e respektova kur ajo donte të më linte. U çmenda nga dhimbja dhe humba kontrollin,” shkruan ai.
Samson shton se është i vetëdijshëm se asgjë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e familjes dhe se nuk po përpiqet të shmangë përgjegjësinë: “Jam gati të paguaj për mëkatet e mia pa asnjë justifikim.”
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen e rëndë po vijojnë me intensitet. Edhe pse autori ka pranuar krimin, autoritetet po hetojnë më tej për të sqaruar rrethanat e pasvrasjes së Ilarias, e cila u zhduk më 25 mars dhe u gjet disa ditë më vonë e pajetë, brenda një valixheje, hedhur në një zonë shkëmbore në Bashkinë Poli.
Në hetim është përfshirë edhe nëna e 23-vjeçarit filipinas, e cila dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e trupit. Prokuroria po analizon komunikimet mes viktimës dhe autorit përmes celularëve dhe pajisjeve të sekuestruara, për të zbuluar motivet e vërteta dhe ngjarjet që çuan në këtë akt të rëndë kriminal.