“Dua të vdes që të më rriten flokët në parajsë”! Historia e trishtë e 8-vjeçares në Gaza
Një histori prekëse vjen nga Gaza, ku një vajzë 8-vjeçare, Sama Tubail, ka humbur flokët si pasojë e stresit të luftës. E zhvendosur nga shtëpia e saj pas 7 tetorit 2023, Sama ka kaluar trauma të thella, të cilat mjekët i kanë diagnostikuar si shkaktarë të alopecisë, një gjendje që shkakton rënien e flokëve.
E vogla tregon se dikur i pëlqente të krihte flokët e saj të gjatë, ndërsa tani përballet me ngacmime nga fëmijët e tjerë dhe mbulon kokën me një kapuç rozë. “Mama, jam e lodhur, dua të vdes. Pse nuk më rriten flokët?” – i tha ajo nënës së saj, duke shtuar se do të dëshironte t’i rrisë flokët në Parajsë.
Ekspertët e shëndetit mendor në Gaza po përpiqen të ndihmojnë fëmijët e traumatizuar, duke përdorur teknika si terapia me vizatim për t’i ndihmuar të shprehin emocionet e tyre. Sipas tyre, ndikimi psikologjik i luftës mund të zgjasë për vite me radhë.