“Dua të di pse më qëlluan!” – Arjan Ndoja përballë SPAK, flet për Rrumin e Shijakut dhe dosjen sekrete në makinë

Vijon në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ndodhur në vitin 2019 në zonën e Shkozetit.

Në seancën e radhës, janë zhvilluar pyetje nga avokati i të pandehurit Plarent Dervishaj, lidhur me ngjarjen dhe rrethanat e saj.

Avokati ka pyetur Ndojën për njohjen e tij me Aleksandër Lahon (i njohur si “Rrumi i Shijakut”):

“Çfarë lidhje keni patur me Aleksandër Lahon?”

Ndoja është përgjigjur:

“E kam njohur nga një ngjarje plagosjeje me thikë ku kam qenë avokat asokohe. Kanë kaluar disa muaj që nuk kam pasur më kontakt me të.”

Në vijim, avokati pyeti për pozicionin e Laho në mjetin ku udhëtonin para atentatit:

“Pozicioni i tij në mjetin ku udhëtonit para atentatit?”

Ndoja u përgjigj:

“Mjeti po ecte me 60-70 km/h, unë isha ulur në sediljen e pasagjerit. Nuk kam parë sesi është qëlluar, por kam parë disa video. Në momentin e ngjarjes nuk arrin dot të kthesh kokën, por e ndjen sesi vijnë plumbat nga pas.”

Avokati vijoi me pyetjen:

“Pse mendoni që është goditur prokurori?”

“Mjeti ishte i imi. Po të kishin punë me personat e tjerë do t’i kishin goditur më parë. Unë e bëj ekzistencën e faktit. Kjo është çështje këndvështrimesh. Nuk kam pasur konflikte që të më qëllonin me armë. Po të shikohet tabela fotografike e makinës, shihen 13 predha. Unë dua vetëm të di arsyen”, tha Ndoja.

Avokati kërkoi të dinte nëse Ndoja kishte përdorur ndonjë numër tjetër telefoni:

“Ke përdorur ndonjë numër tjetër telefoni?”

“Kam pasur vetëm në momentet e fundit para ngjarjes,” u përgjigj ai.

“E mbani mend numrin e Pëllumb Muharremit?”

“Jo, nuk e kam pasur,” tha Ndoja.

Avokati e pyeti gjithashtu për një detaj të rëndësishëm që ka dalë nga hetimet:

“Në mjet është gjetur një dosje hetimore në portobagazhin e makinës, e vjedhur nga Prokuroria e Durrësit, lidhur me falsifikimin e pronave në Hamallaj. Çfarë dijeni keni me këtë dosje?”

Në përgjigje, Arjan Ndoja deklaroi:

“Kam dhënë sqarime në Prokurorinë e Posaçme. Nuk kam dijeni për dosje të vjedhur. Në makinën time kanë qenë disa materiale që i kishte një avokat. Materialet janë të tijat.”