“Dua një marrëveshje me Putin”, Trump nga Haga: Sulmet e kthyen programin bërthamor të Iranit disa dekada pas

Në një deklaratë për shtyp nga Haga, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kërkon nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s rritjen e shpenzimeve ushtarake në nivelin 5% të PBB-së, shumë më tepër se objektivi aktual prej 2%, që ende nuk është përmbushur nga disa shtete anëtare.

“Rreziku që përfaqëson Vladimir Putin është i vërtetë dhe Evropa duhet të paguajë më shumë për mbrojtjen e saj,” deklaroi Trump, duke sinjalizuar një ndryshim të thellë të kursit në strategjinë e Aleancës.

Kërkesa e re, që parashikon 3.5% për investime ushtarake direkte (si avionë, sisteme raketore dhe forca manovruese) dhe 1.5% për mbështetje jo-luftarake (siguri kibernetike, logjistikë, infrastrukturë), është parë si një trysni e paprecedentë nga Shtëpia e Bardhë për të riformatuar arkitekturën e mbrojtjes së përbashkët.

Deklaratat u shoqëruan me publikimin nga vetë Trump të një mesazhi privat të Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku ky i fundit e falënderonte për “veprimin vendimtar në Iran” dhe shprehej se “Evropa do të paguajë siç duhet, dhe kjo do të jetë fitorja jote”.

Ky publikim ka shkaktuar një valë shqetësimi diplomatik, duke ekspozuar përçarje të brendshme në komunikimin ndërkombëtar.

Tensionet u thelluan edhe më shumë kur Trump refuzoi të konfirmonte qartësisht angazhimin amerikan për mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s. “Ekzistojnë përkufizime të ndryshme të Nenit 5, apo jo? Sidoqoftë, unë jam miku i tyre,” deklaroi ai, duke lënë të hapur dyshime të thella për besueshmërinë e SHBA-së si garantuese e sigurisë në rast sulmi ndaj ndonjë vendi anëtar.

Në një tjetër deklaratë befasuese, Trump tha se do të dëshironte të arrinte një marrëveshje direkte me presidentin rus Vladimir Putin, duke sinjalizuar një qasja ndryshe nga linja zyrtare e NATO-s në raport me Rusinë dhe luftën në Ukrainë. “Siç e dini, do të doja të arrija një marrëveshje me Rusinë”, tha Trump.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se do të shqyrtojë personalisht deklaratën përfundimtare të samitit, sidomos formulimet që i referohen luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve me Moskën.

Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në Hagë, Trump komentoi edhe sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA ndaj impianteve bërthamore të Iranit, duke deklaruar se “programi bërthamor iranian është kthyer pas për dekada”.

“Mendoj se ata thjesht kanë kaluar nëpër ferr,” tha ai. “Gjëja e fundit që duan të bëjnë është të pasurohen. Ajo goditje i dha fund luftës.”

Ai vazhdoi me një krahasim të pazakontë: “Është si dy fëmijë në oborrin e një shkolle. Lërini të luftojnë për dy ose tre minuta dhe pastaj është e lehtë t’i ndalosh”.