Dua Lipa mes 300 personaliteteve britanike që i kërkojnë qeverisë t’i japë fund bashkëpunimit me Izraelin
Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, iu bashkua rreth 300 personaliteteve nga Mbretëria e Bashkuar në një letër të hapur drejtuar kryeministrit Keir Starmer, duke i kërkuar qeverisë britanike të ndalojë shitjen e armëve në Izrael dhe të ndalojë bashkëpunimin ushtarak me shtetin hebre.
Në këtë letër, nënshkruar nga aktorë, muzikantë, aktivistë dhe figura publike të njohura, përfshirë Benedict Cumberbatch, Tilda Swinton, Riz Ahmed, Paloma Faith, Annie Lennox dhe Massive Attack, kërkohet që Britania të “i japë fund bashkëpunimit në tmerret që po ndodhin në Gaza”.
Shqiptaro-britanikja Dua Lipa, e cila ka qenë shumë e ndjeshme ndaj tragjedisë në Gaza dhe që vitin e kaluar e ka cilësuar ofensivën izraelite si “gjenocid”, është bërë zë i fuqishëm në këtë fushatë.
Në letër, personalitetet kërkojnë gjithashtu sigurimin e “qasjes së plotë humanitare për Gazën”, ndërmjetësimin për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm” dhe pezullimin e menjëhershëm të të gjitha shitjeve të armëve në Izrael.
Organizator i letrës është Choose Love, një organizatë bamirëse që merret me ndihmën humanitare për refugjatët dhe avokimin e të drejtave të tyre. Ndër nënshkruesit është edhe komentatori sportiv Gary Lineker, i cili dha dorëheqjen nga BBC-ja pas një polemike në rrjetet sociale.
Kryeministri Keir Starmer është kritikuar më parë për mbështetjen ndaj ofensivës ushtarake izraelite në Gaza, por tani është nën presion për të ndërmarrë “veprime konkrete” për të ndaluar dhunën.
Situata humanitare në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm pas përfundimit të armëpushimit në mars dhe rifillimit të operacioneve ushtarake izraelite që kanë shkaktuar mijëra viktima dhe një krizë të thellë humanitare, përfshirë bllokadën e ndihmave dhe rrezikun e urisë masive.