Drogë me vlerë 14 milionë euro në banesë, arrestohet shqiptari në Itali! Sekuestrohet kokainë dhe…

Një operacion i suksesshëm antidrogë i zhvilluar nga Guardia di Finanza në qytetin italian të Brescias ka çuar në arrestimin e një shtetasi shqiptar dhe sekuestrimin e një sasie të madhe kokaine me vlerë mbi 14 milionë euro.

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur nga autoritetet, kishte rolin e kujdestarit të një banese që shërbente si pikë magazinimi për lëndët narkotike. Ai ishte nën vëzhgim prej kohësh nga njësitë e specializuara dhe u arrestua në flagrancë, në momentin kur po futej në banesë me dy çanta që përmbanin drogë.

Gjatë kontrollit të banesës, forcat e Guardia di Finanza zbuluan 109 blloqe kokaine, me një peshë totale prej mbi 126 kilogramësh. Krahas drogës, u gjetën dhe sekuestruan materiale për paketimin e saj, si dhe një shumë e konsiderueshme parash të gatshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.

Autoritetet italiane kanë konfirmuar se hetimet janë ende në zhvillim e sipër dhe janë përqendruar tashmë në identifikimin e bashkëpunëtorëve, furnizuesve dhe rrjetit të shpërndarësve që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.