Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose pjesë e Konferencës Vjetore të ICPA 2024 në Singapor

Klevis Qose merr pjesë në Konferencën Vjetore të ICPA 2024 në Singapor, takohet me përfaqësuesit më të lartë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, po merr pjesë në Konferencën Vjetore të ICPA 2024, e cila po zhvillohet në Singapor nga data 1 deri më 6 shtator 2024.

Kjo konferencë ndërkombëtare, e organizuar nga Shërbimi i Burgjeve të Singaporit, mbledh drejtorë ekzekutivë, profesionistë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi temën “Mundësimi i Qëndrimit: Përtej Recidivizmit.”

Gjatë kësaj konference të rëndësishme, z. Qose ka zhvilluar takime me dy prej përfaqësuesve më të lartë të ICPA, Presidentin z. Peter Severin dhe Drejtoreshën Ekzekutive zj. Natalie Boal si dhe me homologen e tij në Singapor, zj. Shie Yong Lee. Këto takime kanë shërbyer për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe për të shkëmbyer përvoja të rëndësishme mbi praktikat dhe risitë në fushën e sistemit penitenciar.

Gjatë këtyre diskutimeve, Shqipëria është ftuar të aplikojë për t’u bërë anëtare në Shoqatën Ndërkombëtare të Burgjeve (ICPA).Ky hap do të fuqizojë më tej rolin e Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar në sistemin e burgjeve dhe do të ndihmojë në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira me vendet e tjera anëtare.

Takimet me z. Peter Severin dhe zj. Natalie Boal kanë qenë një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që lidhen me recidivizmin, si dhe për të eksploruar rrugë të reja për përmirësimin e sistemeve korrektuese. Z. Qose ka vlerësuar rolin kyç të ICPA në promovimin e qasjeve të reja dhe efektive në drejtësi dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Gjithashu vlen për tu theksuar mbështetja e vazhdueshme e ICITAP dhe INL të cilët kanë asistuar me dy këshilltarët e saj z. Bill Sage dhe z. Frenk Karam.