Drejtoresha që i hodhi bluzën në kokë arbitrit, kush është Deborah Keçi, ish-sportistja e skemës korruptive 5D

Personat e përfshirë në dosjen “5D” ishin emra të njohur, mes tyre ish-drejtorë bashkie, por jo vetëm.
Deborah Keçi ishte ndër personat për të cilët u dha masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Emri mund të duket i njohur dhe në fakt ashtu është. Gjatë vitit të kaluar, Keçi, drejtoresha e përgjithshme e klubit sportiv Tirana, në përfundim të një ndeshjeje basketbolli ka bërë një gjest të shëmtuar ndaj arbitrit.

Në minutat e fundit të ndeshjes, një nga lojtarët e stolit të Tiranës ka hedhur në fushë një bluzë. Arbitri e ka marrë bluzën dhe e ka kthyer tek stoli, por drejtoresha e ka marrë sërish fanellën dhe ia ka hedhur në kokë arbitrit.

Deborah Keçi u vendos në drejtimin e Tiranës, klubit më të madh shumësportësh në vendin tonë, në tetor të 2020-ës. Ajo është një ish-kampione noti, madje vitin e kaluar ishte edhe pjesë e kastit të “Dancing With The Stars” .

“Nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja Deborah Keçi ka pasur komunikime direkte me shtetasin N.M. administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor shtetasit Nestor Muhametllari, user-at e anëtarëve të KVO-së”, njoftoi SPAK.