Drejtonte trafikun e kokainës përmes SKY ECC, arrestohet shqiptari në Itali! Trafikoi drogë me vlerë mbi 2 milionë euro

Banner

Një 37-vjeçar shqiptar, i shumëkërkuar për trafik ndërkombëtar droge, është arrestuar në Itali pas zbritjes nga Spanja në aeroportin e Fiumicionos në Romë. Emri i tij nuk bëhet publik, por ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga shqiptarë, që menaxhonin trafikun e drogës përmes aplikacionit të koduar SKY ECC.

Hetimet zbuluan se shqiptari kishte përdorur këtë aplikacion për të koordinuar dërgesat e kokainës dhe kanabisit në Itali. Bisedat e përgjuara përmes SKY ECC janë përdorur si provë kyçe për ngritjen e akuzës. Nga muaji mars deri në dhjetor të vitit 2020, ai dyshohet se ka trafikuar 50 kilogramë kokainë, me një vlerë tregu prej 1.7 milionë euro, dhe 80 kilogramë marijuanë me vlerë rreth 300 mijë euro.

I riu jetonte më parë në Bologna, por ishte zhvendosur në Spanjë në vitin 2022, ku u arrestua për drogë dhe iu gjet një plantacion me 2167 bimë kanabisi, si dhe sasi të konsiderueshme marijuane dhe tableta me përmbajtje kanabisi. Sapo mbërriti në Itali, ndaj tij u ekzekutua masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa gjykata e dënoi përfundimisht me 2 vjet e 8 muaj burg dhe një gjobë prej 12 mijë eurosh.

Ky nuk është arrestimi i parë për shqiptarin, pasi në vitin 2019 ishte kapur në Bologna me 150 gramë kokainë të gatshme për shitje. Ai dyshohet gjithashtu se ka përdorur lidhjet e tij kriminale për të siguruar dhe shpërndarë lëndët narkotike në rrugë të ndryshme të Italisë.