“Drejtësinë nuk e solli Amerika me avion” – Rama: Në hetim nuk janë as çereku i ministrave që kam pasur, keni parë kryeministër që vriste protestuesit
Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës së përjavshme me qytetarët “Sy m’sy”, ka komentuar sërish mbi reformën në drejtësi, duke theksuar se ishte Partia Socialiste ajo që i dha mundësinë sistemit të drejtësisë të veprojë i pavarur. Rama u shpreh se drejtësia nuk erdhi as nga SHBA dhe as nga Bashkimi Europian, por është rezultat i vendimeve të marra brenda vendit.
“Unë kam pasur mbi 60 ministra. Në drejtësi kanë qenë dhe janë ish-ministra dhe nuk janë as sa çereku i qeverisë që unë kam sot në numër. Nëse sot ka ish-ministra, kryetarë bashkie dhe personalitete ose figura zyrtare në probleme të hapura me drejtësinë, si erdhi kjo ditë? E solli Zoti këtë ditë? Pa ndihmën tonë? E solli Amerika me aeroplan apo BE me anije? Aty kanë qenë që në ’91”, tha Rama.
Ai i bëri një përshkrim të qartë periudhës para reformës në drejtësi, duke kujtuar sipas tij rastet kur pushteti i mëparshëm urdhëronte dhunë ndaj qytetarëve, ndërsa sot, drejtësia ka marrë guximin të thërrasë njerëz të pushtetshëm.
“Ti jo vetëm që nuk ke parë kurrë një individ të fortë të lidhur me pushtetin apo qoftë kriminelë që të jenë nën goditjen e shpatës së drejtësisë, por ti ke parë krejt të kundërtën. Ke parë kryeministra që vrasin njerëz. Këtu poshtë dritares janë vrarë njerëz të pafajshëm. Dolën pushkët e shtetit. Ti i ke parë qeveri që hedhin në erë zona të banuara, jo në film, në realitet, këtu në Tiranë dhe nuk u ka hyrë gjemb në këmbë. Nuk po shkoj më tutje që ke parë presidentë që kanë hedhur vendin në erë duke nxitur njerëzit të fusin lekë në piramida.”
Në vijim, Rama përmendi edhe prokurorin e posaçëm Altin Dumani, duke e cilësuar si një prokuror të ndershëm dhe të vendosur, ndërsa solli në vëmendje një episod ku, sipas tij, kryeministri i kohës kishte fyer një zyrtare të drejtësisë për shkak të një thirrjeje ligjore.
“Po kur vinin me armë dhe me ato murtajat që mbahen në krahë këtu dhe sot duan të bëjnë ‘Shqipërinë madhështore’? Nuk ke parë një prokuror që t’i thërrasë këta deri para pak vitesh. Altin Dumanin kur e ke dëgjuar? Proki i ndershëm, i vendosur. S’ka thirrë njeri t’i thotë: hajde këtu, si i vrave ti këta? Sepse nuk e kishte shpatën. Shefja e madhe e Altin Dumanit vetëm se çoi një copë letër dhe tha: hajdeni t’ju pyes se çfarë ndodhi, u gjend në pozitën të shihte kryeministrin në TV dhe i tha: ajo është një lavirë.”
Në fund, Rama solli një krahasim me vetveten, duke u shprehur: “Më përfytyron dot mua të vras njerëzit që protestojnë? Të dal Altin Dumani dhe unë t’i them popullit: është lavirë? Në asnjë mënyrë.”