Drejt vdekjes me makinat luksoze të blera nga babi përtej normave të lejuara të shpejtësisë

Çdo mëngjes gazeta, radio dhe televizioni na “shërbejnë” si kafen e parë të ditës aksidentet automobilistike gjatë orëve të territ.

Shpesh të përfunduara në mënyrë tragjike, e ku protagonistë janë kryesisht të rinjtë. Orët e vona të shoqëruara me alkool dhe shpejtësi tej normave të lejuara përgjakin rrugët e qyteteve shqiptare.

Adrenalina e makinave luksoze të blera prej baballarëve me pushtet janë shkak i aksidenteve që edhe policia e ka humbur fillin e numërimit.

Përpos faktit që shkaktojnë aksidente dhe marrin jetë njerëzish të pafajshëm, këta “gangstera makinash luksoze” ia hedhin, duke i shpëtuar ndëshkimeve të merituara dhe humbur gjurmët.
Pushteti i baballarëve jo vetëm i ka dhënë armën e krimit, makinat luksoze, por edhe kanë forcën për ta zhvlerësuar dhe ngjarjen më të bujshme.

Shpejtësia po vret gjithnjë e më shumë të rinjtë në bordin e makinave luksoze, të moshuarit anash rrugës dhe njerëz totalisht të pafajshëm, të cilët sorrollaten gjetkë për të garantuar siguri jo vetëm financiare për famijen e tyre, e në shtëpi kthehen me makinën e morgut.

Raporti i aksidenteve automobilistike

Gjatë këtij shtatë mujori të 2024 vdekshmëria në aksidente rrugore është 9,2 për 100 aksidente, nga 16,8 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në publikim. Në një analizë më të detajuar për shkaktarët e aksidenteve, publikimi nënvizon se kryesisht dominon sjellja e drejtuesve të mjeteve në timon dhe në një numër më të ulët sjellja e këmbësorëve.

Aksidentet rrugore, në 91,1% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 23,3% të numrit të aksidenteve gjithsej. Në muajin Korrik 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Mërkurë me 19,2%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Enjte, me 8,9%

I njëjti vlerëson se numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 08:00-12:00, duke zënë 19,2 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej