“Drama e kombit tim” – Berisha në Asamblenë e OSBE: 45% e shqiptarëve janë larguar në 10 vite, Shqipëria është narkodiktatura e parë dhe…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të fortë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, e cila po zhvillon punimet në Porto të Portugalisë. Në krye të delegacionit të opozitës shqiptare, Berisha denoncoi ashpër fenomenin e shpopullimit masiv dhe korrupsionin që, sipas tij, ka kthyer Shqipërinë në “narkodiktaturën e parë dhe të vetme në Europë”.

Në një fjalim të gjatë, ai theksoi se vendi ka përjetuar një dramë të vërtetë kombëtare në aspektin demografik gjatë periudhës 2014-2024, me 45% të popullsisë që ka braktisur Shqipërinë në një dekadë.

“Kombi im ka humbur më shumë njerëz sesa çdo komb tjetër, madje edhe nga vendet në luftë apo në konflikte civile. Sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të zonës Schengen. Dhe këtu nuk përfshihen ata që kanë ikur në vende apo rajone të tjera”, deklaroi Berisha.

Ai i referohet edhe raportimeve të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave Shqipëria ka rënien më të madhe të lindshmërisë në botë për shkak të emigracionit masiv.

“Shkalla e lindshmërisë sot është aty ku ishte para 100 vitesh,” shtoi ai.

Berisha akuzoi qeverinë Rama se ka krijuar një “narkodiktaturë”, të cilën e konsideroi si shkakun kryesor të largimit të shqiptarëve dhe të rrënimit ekonomik të vendit.

“Ekonomia shqiptare sipas të dhënave zyrtare rritet me 3% në vit. Por kjo nuk është rritje reale, është narkorritje. Prodhimi industrial ka rënë, po ashtu edhe bujqësia. I vetmi sektor që rritet është ndërtimi, dhe ky financohet nga paratë e drogës. Të gjitha këto kulla në Tiranë janë monumente të drogës dhe korrupsionit”, u shpreh kreu i opozitës.

Ai përmendi gjithashtu zhvlerësimin e monedhës euro në Shqipëri me 35–38%, duke thënë se kjo ka shkatërruar qindra ndërmarrje eksportuese.

“NarkoEuro hyn në vend përmes konteinerëve dhe jo nga bankat. 80% e investimeve në ndërtim nuk vijnë nga sistemi bankar, por nga nëntoka”, deklaroi Berisha.

Duke e cilësuar kryeministrin si “narkodiktator”, ai e akuzoi atë për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kartelet e drogës, duke i lejuar të pastrojnë paratë në Shqipëri pa asnjë pengesë.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha theksoi se përveç ekonomisë, një tjetër viktimë e kësaj situate janë edhe zgjedhjet, duke i cilësuar si të manipuluara dhe të kapura nga kjo “narkodiktaturë”.

“Këta janë faktorët që po shkatërrojnë kombin tim”, përmbylli ai.